Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, priti ekspertin e atletikës, Bostjan Bradesko
16.11.2017 18:14:36
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, ka pritur të enjten ekspertin e atletikës nga IAAF, z. Bostjan Bradesko, i cili shoqërohej nga sekretari i Federatës Atletike të Kosovës, z. Abdurrahman Shkodra dhe zyrtarin e kësaj federate, z. Fatlum Grajçevci.
z. Bradesko, për 12 ditë ligjëroi në kursin për trajnimin e trajnerëve të atletikës, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Kursi përfundoi të mërkurën me çertifikimin e 23 trajnerëve.
Z.Hasani falënderoi z. Bradesko, duke e vlerësuar lartë rolin krucial që luajnë trajnerët për ngritjen e performancës së sportistëve, si dhe nevojën e ngritjes së njohurive dhe performancës së trajnerëve për të përmbushur kërkesat në rritje të sportistëve për trajnime cilësore dhe bashkëkohore.
Z.Bradesko u shpreh mirënjohës për pritjen, derisa tregoi përvojat e sistemit të sportit slloven dhe mbështetjen që sportistët e ndryshëm marrin nga komunat dhe qeveria, për çka z. Hasani tha se është ithtar i sistemit slloven të aplikuar në sport prej dekadash.
Në fund, z. Hasani në shenjë mirënjohje për kontributin e tij, i dhuroi z. Bradesko, librin “Debutimi i Artë”, kushtuar medaljes së parë olimpike të Majlinda Kelmendit.