Takim frytdhënës mes KOK-ut dhe FBK-së
20.11.2017 16:43:31
Në vazhdën e takimeve me federata, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti z. Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm z. Shasivar Haxhijaj, janë takuar të hënën me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, presidentin z. Erolld Belegu dhe sekretaren e përgjithshme znj. Elvira Dushku.
Takimi kishte për qëllimin njoftimin e të dyja palëve me aktivitetet e deritashme, atyre që kanë mbetur deri në fund të vitit, me ç’rast Federata e Basketbollit të Kosovës, muajin e ardhshëm do të vijojë kursin për trajnerë, niveli i dytë, si dhe kursin bazik për administratorë të sportit.
Po ashtu, palët biseduan edhe për aktivitetet e përbashkëta për vitin 2018, për pjesëmarrjen e mundshme të FBK-së në Lojërat Olimpike Verore për të rinj në Buenos Aires 2018, si dhe Lojërat Botërore në rërë të organizuara nga ANOC në San Diego 2019.
Në takimin e mbajtur në Hotel Sirius, u diskutuan edhe çështje tjera me rëndësi.
Javë më parë, drejtuesit e KOK-ut u takuan edhe me krerët e lartë të Federatës së Hendbollit të Kosovës, kurse në ditët e ardhshme do të mbajnë takime me federatat tjera.