Presidenti Krasniqi vizitoi Shoqatën "Down Syndrome Kosova" në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i shoqëruar nga legjenda e karatesë, Enver Idrizi, kanë vizituar shoqatën "Down Syndrome Kosova", në shënimin e 6 prillit – Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe.
Presidenti Krasniqi dhe ish-karateisti Idrizi, u pritën nga drejtoresha e kësaj shoqate, Sebahate Hajdini - Beqiri dhe bashkëpuntorë të saj.
Presidenti Krasniqi, duke falënderuar drejtoreshën Hajdini - Beqiri për pritjen dhe përkujdesin e saj dhe të shoqatës për personat me aftësi të veçanta, theksoi se Komiteti Olimpik i Kosovës do të vazhdojë edhe më fuqishëm të mbështesë këtë shoqatë.
Presidenti Krasniqi u interesua për sfidat me të cilat po përballet shoqata dhe gjetjen e formave të bashkëpunimin, duke u pajtuar që të intensifikohen edhe takimet.
Drejtoresha Hajdini - Beqiri, duke falënderuar për vizitën presidentin Krasniqi dhe ish-karateistin, Idrizi, i njoftoi me ambientet e reja të shoqatës, sfidat me të cilat përballen, si dhe kërkoi që të intensifikohen takimet me KOK-un, në mënyrë që të gjenden mundësi të ndryshme për bashkëpunim.
E pranishme në takim ishte edhe Medina Surdulli, kampione e notit në garat me Syndrom Down.
Në fund të takimit, u ndanë edhe dhurata simbolike.