KON merr vendime të ndryshme për mbrojtjen e sportistëve ndaj koronavirusit Covid 19, gjatë qëndrimit në Fshatin Olimpik të LO Tokio 2020
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, në të cilën ka marrë vendime të ndryshme për Lojërat Olimpike Tokio 2020.
LO Tokio 2020 janë shtyrë për një vit shkaku i pandemisë Covid 19 dhe do të mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021.
Për të mbrojtur sportistët nga koronavirusi gjatë LO Tokio 2020, KON ka marrë vendime të ndryshme, të cilat i ka publikuar në një udhëzim, i cili do t’u dërgohet të 206 Komiteteve Olimpike Kombëtare.
Presidenti i KON-it, Thomas Bach, bëri me dije se vendimet janë marrë për të minimizuar numrin e personave që do të qëndrojnë në Fshatin Olimpik të Lojërave Olimpike në Tokio.
Disa prej vendimeve të publikuara në udhëzues janë si në vijim:
- Sportistët duhet të arrijnë në Fshatin Olimpik pesë ditë para garave të tyre
- Sportistët duhet të largohen nga Fshati Olimpik, maksimumi 48 orë pas përfundimit të garës së tyre.
- Zyrtarët e sportit specifik duhet të ndjekin të njëjtën rregull, si për ardhjet, ashtu edhe për largimin e sportistëve.
- Zyrtarët tjerë si: personeli i administratës, mjekët e ekipit të përgjithshëm dhe fizioterapeutët, mund të arrijnë në Fshatin Olimpik dhe të largohen varësisht nga nevojat e KO Kombëtare, ndërsa duhet të minimizojnë qëndrimin e tyre në Fshat pas largimit të sportistit të tyre të fundit.
- KON kërkon nga Komitetet Olimpike Kombëtare që t’iu përshtaten këtyre rregullave dhe të bëjnë më herët planifikimin e arritjes dhe largimit të sportistëve, në mënyrë që të ulun rrezikshmërinë e infektimit me Covid 19.
- Aty ku është e mundur, sportistët mund të ambientohen me ndryshimet e kohës, duke qëndruar para Lojërave Olimpike në kampe përgatitore në Tokio, se sa të qëndrojnë në Fshatin Olimpik.
- Sportistët të cilët qëndrojnë në Fshatrat tjera, nuk u rekomandohet që pas garës të kthehen në Fshatin Olimpik.
Udhëzuesin komplet e gjeni në këtë LINK