Renditja e re Olimpike e IJF-së: Distria Krasniqi del e para, Laura Fazliu shënon ngritje
Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF), ka publikuar sot renditjen më të re Olimpike.
Pas garës së Grand Slamit të mbajtur në tri ditët e fundit në Budapest të Hungarisë, ekipi Olimpik i Kosovës ka shënuar ngritje.
Distria Krasniqi ka dalë e para në kategorinë deri në 48 kilogramë, pas medaljes së artë të fituar të premten. Krasniqi mori 1 mijë pikë të reja, duke quar në 6765 numrin e pikëve në total, me të cilat la prapa dy herë kampionen e botës, Daria Bilodid.
Loriana Kuka, që fitoi medaljen e bronztë, ka dalë e 13-ta me 3463 pikë në kategorinë -78 kilogramë.
Akil Gjakova është i 10-ti në kategorinë -73 kilogramë, duke tubuar gjithësej 3447 pikë.
Majlinda Kelmendi, e cila nuk mori pjesë në Grand Slamin e Budapestit, ndodhet e pesta me 4152 pikë në kategorinë -52 kg. Të pesë xhudistët ndodhen brenda normës Olimpike Tokio 2020.
Xhudistja Laura Fazliu, e cila po e kërkon normën Olimpike, me pikët e fituara në Grand Slam, është ngritur për tetë vende, duke kaluar në pozitën e 55-të. Për të fituar normën Olimpike, asaj i duhet të jetë diku në mesin e 30 xhudisteve në renditjen Olimpike.
Gara e ardhshme për ekipin Olimpik është kampionati evropian, që mbahet prej 19-21 nëntor në Pragë të Çekisë.