KOK vazhdon bashkëpunimin me Toyota Kosova, edhe për dy vite
Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin me kompaninë Toyota Koaova, edhe për dy vitet e ardhshme.
Marrëveshja e re e sponsorizimit, që lidhet në kuadër të hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim, parahesh që Toyota Kosova t'i dhurojë KOK-ut edhe dy vetura të firmës Toyota në shfrytëzim.
Kontrata u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe drejtori menaxhues i Toyota Kosova, Bujar Hoxha, ndërsa të pranishëm në ceremoni ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe drejtori i shitjes së Toyota Kosova, Rubik Spahiu.
"Kam kënaqësinë të ju njoftoj se sot po e vazhdojmë kontratën me Toyota Kosova edhe për dy vitet e ardhshme, një kontratë më e volitshme se sa e para. Ky bashkëpunim besoj se do të vazhdojë edhe pas vitit 2021. Toyota Kosova është një nga top partnerët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe është shtrirë edhe në nivelin kombëtar, kështu që tani po bëhet një bashkëdyzim nga i cili do të krijohet nje vlerë tjetër, një nivel tjetër për afirmimin e dy brendeve, KOK-ut dhe Toyotas", tha ndër të tjera presidenti Hasani, sipas të cilit nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe Federatat Sportive në Kosovë.
Në emër të Toyota Kosova, Bujar Hoxha, u shpreh i lumtur për vazhdimin e marrëveshjes dhe përkrahjen e vazhdueshme që po i japin sportit.
"Jemi jashtëzakonisht të lumtur që si përfaqësues të Toyotas, kemi mundësi të ndihmojmë komunitetin e sportit, i cili po na përfaqëson denjësisht në arenën ndërkombëtare dhe ne mburremi që jemi pjesë e komunitetit sportiv. KOK-ut do t'i jepen në shfrytëzim vetura Hybrid, ndërsa kësaj radhe do t'i ndihmojmë edhe federatat me shërbime tjera logjistike, pra me një veturë tjetër", theksoi Hoxha.
Bashkëpunimi KOK dhe Toyota Kosova në formën e sponsorizimit daton që nga viti 2015.