+383 38 222 223 / [email protected]

KOK mbajti Asamblenë Vjetore të Punës, Agim Ademi u zgjodh nënpresident i ri

Është mbajtur Asambleja Vjetore e Komitetit Olimpik të Kosovës, në të cilën u shqyrtuan dhe u miratuan të gjitha pikat e Rendit të Ditës.
Në fjalën hyrëse, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e quajti 2018-ën, vit të suksesshëm, duke përmendur edhe numrin 50 të medaljeve të fituara nga sportistët tanë, me besimin se ky numër do të rritet në vitin e ardhshëm. Ndër të tjera, presidenti Hasani përmendi edhe dërgimin e sportistëve në garat ndërkombëtare, debutimin në Lojërat Olimpike Dimërore Pyeong Chang 2018, etj.
“KOK përveç mbështetjes së federatave në ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, i ka ndihmuar ato edhe financiarisht. Shumat ishin të vogla, por nisur nga fakti se 31000 euro u ndanë në periudhën kur nevojat ishin të mëdha dhe këto shuma sa do të vogla kryen ndoshta punë të mëdha. Duam të ju përkujtojmë se vazhdon mbështetja e federatave ekipore, dhe siç e dini përfituese e grantit katërvjeçar në vlerën 60 000 USD për ciklin Olimpik 2017-2020 është Federata e Hendbollit e Kosovës”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, presidenti Hasani.
Në Asamble i pranishëm ishte edhe ministri për Kulturë Rini e Sport, Kujtim Gashi, i cili tha se mbështetja e MKRS-së për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat sportive në vend do të vazhdojë, ndërsa përgëzoi KOK-un për zhvillimin e shumtë të aktiviteteve gjatë 2018-ës.
“2018 njëri ndër vitet më të mira sa i përket rezultateve. Është fat i mirë që Kosovfa është kampione e medaljeve gjatë këtij viti, po ashtu kemi rezultat të mirë edhe tek sportet kolektive dhe tashmë nuk është asgjë risi. Kemi kombëtaren tonë, e cila është para kualifikimit në Evropian. Kemi rezultate të mira edhe në basketboll e hendboll dhe sporte tjera. Kjo na gëzon sepse mbështetja financiare dhe ajo në infrastrukturë dhe fushat tjera e arsyeton me këto të arritura”, tha ministri Gashi.



KOK përkujtoi me një minutë heshtje gjithë kontribuuesit nëpër federata, të cilët ndërruan jetë në vitin 2018, përfshirë këtu edhe doajenin e gazetarisë sportive, Agim Binaku, ndërsa nderim i veçantë iu bë legjendës së futbollit mbarëshqiptar, Fadil Vokrri, i cili ishte president i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës. I pranishëm në Asamble ishte edhe djali i legjendës Vokrri, Gramozi.
Me një video mesazh drejtuar enkas për këtë Asamble erdhi numri një i sportit në botë, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të KON-it për Kosovën.
“Sportistët janë ambasadorët tuaj më të mirë në Kosovë dhe ata e përfaqësojnë progresin e lartë që ju e keni arritur në një kohë të shkurtë. Me paraqitjen e tyre ata vendosën edhe formalisht Kosovën në hartën e  sportit në botë. Suksesi i tyre solli shumë krenari dhe kënaqësi tek të gjithë ju në Kosovë, si medalja e parë e artë, e cila nuk duhet të harrohet, e fituar nga Majlinda Kelmendi në RIO 2016. Por, më e rëndësishmja është se gjithë këta sportistë, janë inspirimi i gjeneratës së re për të besuar në ëndrrat e tyre dhe për të besuar në të ardhmen e tyre. Dua të falënderojë gjithë ekipin e KOK-ut, nën udhëheqjen e mirë të Besim Hasanit, për punën e palodhshme në promovimin e sportit për të gjithë në Kosovë”, tha ndër të tjera, Bach.
Pas pjesës solemne, unanimisht u miratuan: Raporti i Punës, Raporti Financiar, Raporti i Auditorit 2017, si dhe buxheti i KOK-ut për vitin 2019, Plani i Punës 2019, Raporti i Këshillit Mbikëqyrës të KOK-ut, etj.
Në pikën e dhjetë ishte zgjedhja e nënpresidentit të KOK-ut, për të zëvendësuar legjendën Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë këtë vit.
Vendin e tij e zuri edhe në Komitet Olimpik, presidenti i tanishëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili fitoi me 39 vota, vetëm një më shumë se sa presidenti i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi. Ademi zëvendësoi legjendën Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë këtë vit.
Federata e Badmintonit u bë anëtare e KOK-ut me të drejta të plota, kurse Federata e Muay Tait u pranua me të drejta të kufizuara. Në fund u miratua edhe imazhi vizual i KOK-ut, ndërsa debat zgjoi vendimi për mbajtjen e Kuvendeve të Punës së Federatave sportive dhe KOK-ut, për çka me shumicë votash u miratua opsioni që federatat të mbajnë Kuvendet e Punës në muajt janar dhe shkurt, kurse KOK-u në mars.
E gjitha Asambleja u mbajt në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë.